DON KISHOTI ZBRET NË SHQIPËRI
Sprovë nga Aurel Plasari


(fragmente nga sprova)

Don Kishotët e ndryshëm

Don QuixottePrej disa shekujsh Don Kishoti qëndron para kritikës si një sfinks i pakuptueshëm deri në fund. Komentuesit e shumtë të tij asnjëherë nuk janë mbuluar me lavdi, pavendosmëria dhe dyshimi i kanë ndjekur hap pas hapi. Ç’simbolizon Don Kishoti? Ç’ka dashur të thoshte Servantesi me këtë figurë? Ja pyetjet për të cilat edhe për shumë kohë njerëzit do të vazhdojnë të kërkojnë përgjigje përfundimtare, ndërkohë që, me kalimin e shekujve, atë vazhdon ta veshë një barok i tërë ngjyrash kuptimore... Kishoti i sotëm, për shembull, nuk është më ai i shek. XVII dhe as ai që do të jetë në shek. XXII.

Një hero i madh i pjellë në të tilla rrethana vjen një ditë e bëhet i pamëshirshëm: gllabëron babanë, përlan vëllezërit... Shkëputet nga vepra e nga shkrimtari dhe fillon të ekzistojë prej vetvetes e për vetveten. Dhe ne, thuajse padrejtësisht, dimë gjithçka për Don Kishotin para se t’ia kemi kënduar historinë. Madhësia e një figure të tillë tanimë matet me faktin se sa i drejtohen asaj brezat e rinj kur përpiqen për ta shpjeguar në përputhje me shqetësimet e tyre shpirtërore.

Këtu e dy shekuj të shkuar, DonKishoti s’ishte veçse një figurë komike. Kjo e kish bërë aq popullor mes spanjollëve; po, nga ana tjetër, kish ngjallur ndaj autorit të tij edhe përçmimin e mjaft letrarëve që e mbanin veten “ajkë të kohës”. U deshën të vinin, të themi, një Filding apo një Shegel, që figura e Kalorësit të Arratisur të fitonte më shumë dritë e thellësi.

Mjaft e afërt me protestën individualiste të romantikëve ngjante aspirata e Kalorësit. Kësisoj pikërisht e mendonin problematikën e librit të Servantesit romantikët dhe kësisoj hyri hidalgoja i tij, së toku me shqytarin e vet në veprat e tyre.

Për këtë krah revolucionar Don Kishoti përfaqësonte luftën e drejtë, të mbështetur në arsyen e në të drejtën e të fyerve. Ai përpiqet t’i bindë të tjerët me të mirë, por kur nuk ja pranojnë pa fjalë kushtet, shtie në përdorim forcën. Mundja e tij e, si rrjedhim i natyrshëm, edhe e çështjes që ai mbron e mishëron, i japin tonin pesimist e ironik, që përbën një nga karakteristikat e pavdekshme të mançarakut të pashoq; mirëpo, edhe në mundjen e tij, ai nuk heq që nuk heq dorë nga kryengritja. Nga kjo prirje për kryengritje të pareshtur e merr Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur madhështinë e pabjerrshme.

“Mjerë ai – thërriste Merimeja në artikullin “Jeta e Servantesit” – të cilit asnjëherë nuk i kanë shkrepur në kokë qoftë edhe disa mendime të Don Kishotit dhe mjerë ai që nuk ka provuar mbi vete goditjet e hurit apo përqeshjet ngaqë është rrekur të vendosë drejtësinë!”. Merimeja pra, e braktis pikëpamjen aq të përhapur, sipas së cilës “Don Kishoti” është vetëm një reaksion ndaj pasionit për romanet kalorësiake.

Turgenievi, nga ana e tij, hedh poshtë opinionin e përhapur për Don Kishotin si një “luftëtar i mullinjve me erë” dhe orvatet të japë një karakteristikë përfundimtare të figurës. Ai sheh te Don Kishoti, para së gjithash, idealin e të shërbyerit pa interes e me vetëmohim ndaj së drejtës, së mirës, së vërtetës, për hir të të cilave është gati të vuajë privimet më të pamundura, të flijojë edhe jetën. “Jetën vetë ai e çmon për aq sa ajo mund të shërbejë për përmbushjen e idealit, për vendosjen e së drejtës dhe së vërtetës mbi dhe”.

 

Zbritja në Shqipëri

Vonë zbriste Don Kishoti në Shqipëri, pasi pat zbritur në kushedi sa vende të botës, porse zbriste në një mënyrë që do të shënohej në histori. Libri i shqipëruar prej Nolit bllokohej në çast nëpër doganat apo postat kufitare të mbretërisë. Edhe kur, pas presionit të opinionit publik të jashtëm e të brendshëm, mbreti Zog I u shtrëngua t’ia lejonte hyrjen në Shqipëri Don Kishotit, ky nuk shpëtoi pa një gjymtim: tëgjithë ekzemplarëve që kalonin censura u griste introduktën e shkruar prej shqipëruesit.

 

Don Kishoti i Nolit dhe paralelet

Dy janë paralelet kryesore që heq Noli për lidhjen e veprës së shqipëruar me aktualitetin, të cilit ja drejton shqipërimin, duke u futur ai vetë kështu në radhën e atyre studiuesve që e vështrojnë figurën e Don Kishotit të projektuar në bashkëkohësi. E para: mes Mesjetës nga ka dalë Kishoti dhe “Mesjetës” ku duan ta kthejnë Shqipërinë klasa e bejlerëve. E dyta: mes Spanjës së kohës së Servantesit, domethënë periudhës së dekadencës së saj së shek. XVII dhe Shqipërisë së kohës së Nolit frymëzënë nga kriza e rëndë ekonomike. E bënte këtë në një kohë kur shtypi zyrtar mbretëror ngrinte zhurmë të madhe për ta paraqitur ardhjen në fuqi të Zogut dhe klikës së tij si vendosje e “rregullit” në jetën e vendit, i cili qenkësh kredhur në anarki pas ngjarjeve të qershorit 1924. Edhe me këtë paralele Noli synon të tregojë se ngjarjet e dhjetorit 1924 nuk ishin një “Triumf i Legalitetit”, por një përmbysje kundërrevolucionare.

Pikësëpari, i kushton rëndësi përcaktimit të përkatësisë klasore të protagonistëve, si kyç për interpretimine tyre: “Për të kuptuar Don Kishotin e Sanço Pançën, duhet të kuptojmë mirë klasat shoqërore spanjolle prej të cilave kanë lindur, domethënë klasën e aristokratit të vogël, nga njëra anë, dhe klasën e fshatarit të varfër e të paditur, nga ana tjetër, në shekullin e shtatëmbëdhjetë.” Në “Republika” ai pat vënë re: “Shumica e kritikëve as e përmendin këtë gjë (gjendjen klasore), ndonëse kjo është rrënja e karakterit të Don Kishotit”. Pa u mjaftuar me përcaktimin e kësaj përkatësie, Noli bën një hap më tej, që s’e kish bërë gjer atëherë në shqipërimet, duke u gjetur protagonistëve të huaj ekuivalentët e tyre në shoqërinë shqiptare të kohës: “Kur bëhen qesharakë dhe hanë dru, doemos këndonjësit gëzohen, që në fytyrën e tyre bëhen qesharakë dhe hanë dru dy klasat shoqërore më të urryera dhe më prapavajtëse, klasa e bejlurçinës dhe klasa e laros. Se këta i ka pasur mileti mbi kokë si oficerë, si nëpunës, si ushtarë, si zaptie, si komitaxhinj, si hajdutë, si qehajaj, shkurt si vegla dhe agjentë të feudalëve e të shtetit feudal.”

Dhe këtu, në paralelizmin e protagonistëve si tipa përfaqësues klasësh të caktuara, e gjen ai arsyen kryesore se përse kjo vepër në Shqipëri “do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë...Se atje tipat e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Pothuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të deklasuar pa bazë ekonomike, dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, që kur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që atëherë aristokratët tanë, që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe shefë bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu kanë mbeturpa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinëdhe Afrikën. Këto dy elementë përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, medievale, prapanike dhe reaksionare, si atë të Turqisë së vjetër, të vdekur përgjithnjë, se ashtu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë.”

Edhe te “Republika” ai pat vënë re: “Në Shqipëri kemi me mijëra Don Kishotër, reaksionarë, të padjallëzuar, që përpiqen ta kthejnë rrotën e historisë prapa, njerëz që rrojnë me përrallat dhe fantazmat e patriarkalizmës dhe feodalizmës orientale”. Madje diku edhe më konkretisht: “...e keni njëkombës, arnaut të kulluar me silah e me tizga, që me kokën prapavajtëse i bie trimërisht murit modern të çeliktë”.

Nuk mungon të shohë Noli edhe aspektin tjetër të figurës, që e vënë në dukje shumë nga studiuesit paraardhës: atë të flijimit idealist të Kalorësit të Arratisur. Porse këtë flijim e përfill shoqërisht ta padobishëm: “Don Kishoti me sakrificat e tij... i sjell dobi vetëm mitologjisë reaksionare të Kohëve të Mesme”. “Sakrifikohet për një ideal të ndryshkur e të zgjyrosur si armët e tij”. Mandej, përfiton edhe nga ky rast për të hequr paralelen: “Njerës... si Don Kishoti, që sakrifikohen për përrallat e reaksionit, kemi edhe në Shqipëri sa të duash, po na mori lumi në pritshim shpëtim nga këta”.