INTRODUKTA E "DON KISHOTIT"
F. S. Noli


(fragmente)

Don Quixotte 2Servantesi e shkroi Don Kishotin, sikundër na thotë ai vetë, me qëllim që të diskreditonte librat e kalorësisë. Vepra e tij, pra, ishte doemos revolucionare, se për të diskredituar librat e kalorësisë duhej të diskreditonte tërë Kohën e Mesme me të gjitha përrallat e saj. Për këtë qëllim, Servantesi zgjodhi si heronj të veprës së tij dy nga tipat më reaksionarë dhe medievalë, që kishte e që kemi akoma përpara sysh: bejlurçinën, sojliun e fandaksur të katundit, Don Kishotine Mançës, dhe laron, sejmenin, fshatarin e varfër e të paditur, Sanço Pançën. Këta të dy marrin përsipër barrën të ringjallin periudhën e kalorësve të arratisur, domethënë ta kthejnë Spanjën dhe tërë botën nja 300 vjet prapa e të hidhen: nga Spanja e madhe e centralizuar, që ka zaptuar gjysmën e Amerikës, në Spanjën e vogël të përçarë dhe të shtypur prej arabëve; nga Koha Moderne në Kohën e Mesme; nga kapitalizmi në feudalizëm; nga dyfeku dhe topat në shtijëzën dhe çomangën; nga shkenca në magji; nga historia në përrallat; nga përparimi në errësirën.

Për të kuptuar Don Kishotin e Sanço Pançën, duhet të kuptojmë mirë klasat shoqërore spanjolle prej të cilave kanë lindur, domethënë klasën e aristokratit të vogël, nga njëra anë, dhe klasën e fshatarit të varfër e të paditur, nga ana tjetër, në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Në Spanjën e Kohës së Mesme aristokratët e vegjël pajtoheshin si qehajaj pranë feudalëve çiflik – sahibinj e veçanërisht si kapedanë komitaxhinj të çetave që luftonin kundër arabëve. Si u çlirua Spanja prej arabëve dhe si u modernizua përgjysmë, aristokratët e vegjël, që nuk shkuan në Amerikë, mbetën pa punë. U varfëruan, u proletarizuan, u deklasuan, ranë nga dynjallëku, se s’kishin bazë ekonomike, se iu pre irati dhe kështu mbetën në erë. Nga oxhaku dhe nga kultura lidheshin me aristokracinë feudale të lartë, po nga varfëria zbrisnin në shkallën e fshatarëve. S’ishin as tamam aristokratë, as tamam fshatarë, po ca më keq se që të dy palët. Pra, ishin më reaksionarë se feudalët e lartë dhe më budallenj se fshatarët e varfëre të paditur. Duke mos pasur as punë, as bazë, kërkonin dhe përpiqeshin t’i gjenin këto të dyja jo përpara, se s’kishte të pritme për klasën e tyre të vdekur, po prapa, në kohët e vjetra, kur klasa e tyre kishte një punë dhe një bazë. Kështu, Don Kishoti kërkon e gjen punë si kalorës i arratisur, siç ishin stërgjyshërit e tij. Kështu, Don Kishoti kërkon e gjen bazë në përrallat e klasës së tij, në librat e kalorësisë. Ç’ka se bota ka vajtur përpara. Don Kishoti e merr përsipër ta kthejë botën prapa, ashtu siç e do interesi i klasës së vet.

Si shok natyral në këtë kryqëzatë, Don Kishoti gjen fshatarin e varfër e të paditur, që e ka në prag të derës, Sanço Pançën. Se edhe ky ka mbetur pa punë e pa bazë ekonomike e ndodhet në një gjendje analoge si dhe Don Kishoti. Në Spanjën e Kohës së Mesme, fshatarët e varfër kishin punë si komitaxhinj kundër arabëve, si laro, si mercenarë e si sejmenë të feudalëve. Në Spanjën moderne vdesin urie. Nuk shohin ndonjë avenir përpara, se industria nuk është zhvilluar mjaft në qytet sa t’i mbledhë si punëtorë të fabrikës. Pra, kërkojnë edhe këta punë dhe bazë prapa, në kohët e kaluara. Kështu, Sanço Pança bëhet sejmen i bejlurçinës, siç ishin stërgjyshërit e tij. Ndryshimi i madh midis Don Kishotit e Sanço Pançës është se ky i fundit s’ka kënduar libra kalorësie. Pra, ky s’i beson përrallat e Kohës së Mesme e s’ka iluzionet e Don Kishotit, dhe është shumë më i mençur se ustai i tij, se librat s’ja kanë shtrembëruar mendjen. Megjithëkëtë, ndonëse e sheh në çdo çap e në çdo aventurë se ustai i tij është i marrë për të lidhur, prapë i vete pas, siç i vete pas çdo katundar bejlurçinës a agait të fshatit, se e ka pasur den-baba-den shef, usta e kapedan nga shkaku i oxhakut, i kulturës, i traditës. Kështu, kemi gjendjen paradoksale të katundarit kundrejt bejlurçinës, të Sanço Pançës e të Don Kishotit, që mund të përmblidhet kështu: Sanço Pança është më i mençur nga Don Kishoti, se s’di të këndojë, po i vete pas, se Don Kishoti di të këndojë e se duhet doemos nga ky shkak të jetë më i mençur. Kështu, Sanço Pança mbetet besnik i ustait gjer në fund. Bile, kur vdes Don Kishoti, e qan me lot të hidhur, ndonëse e merr vesh më në fund që ai e gënjeu dhe e mori më qafë me librat e kalorësisë.

Si shpjegohet popullariteti i Don Kishotit? Fare lehtë. Tipi i bejlurçinës, si dhia e zgjebur me bishtin përpjetë, dhe tipi i laros, që i vete bejlurçinës pas e përpiqet të mbajë rëndësi pas ustait, kanë qenë gjithmonë qesharakë. Këta tëdy tipa bëhen më qesharakë, kur vishen si kalorës të arratisur dhe shëtisin si në karnavalet. Pastaj bëhen më qesharakë, kur këta të dy gogozhelë pretendojnë se do ta kthejnë rrotën e historisë prapa e do të ringjallin një periudhë që ka vdekur përgjithnjë. Përfundimi ca më qesharak i përpjekjeve të tyre i vë tenxheres kapakun. Çift më qesharak, me rroba më fantastike, me qëllime më absurde e me përfundime më groteske nuk mund të imagjinohej. Këtu kemi në fytyrën e Don Kishotit poezinë e bejlurçinës, dhe në fytyrën e Sanço Pançës prozën e laros. Kur bëhen qesharakë dhe hanë dru, doemos këndonjësit gëzohen, që në fytyrën e tyre bëhen qesharakë dhe hanë dru dy klasat shoqërore më të urryera dhe më prapavajtëse, klasa e bejlurçinës dhe klasa e laros. Se këta i ka pasur mileti mbi kokë si oficerë, si nëpunës, si ushtarë, si zaptie, si komitaxhinj, si hajdutë, si qehajaj, shkurt si vegla dhe agjentë të feudalëve e të shtetit feudal.

Po kjo vepër nuk do të ishte aq e bukur, sikur të na bënte vetëm të qeshim. Na bën edhe të qajmë. Se Don Kishoti është një idealist në tërë kuptimin e fjalës. Të gjitha këto i bën për të mirën e njerëzisë dhe aspak për ndonjë interes vetjak. Ka një optimizëm e një entuziazëm e një durim e një besim e një perseverancë heroike, që meritonin të përdoreshin për një çështje më të mirë. Na vjen keq kur shikojmë që i harxhon më kot për një çështje të humbur e që sakrifikohet për përrallat e reaksionit. Gjithashtu na mallëngjen edhe Sançoja me besnikërinë që tregon kundrejt Don Kishotit. Na këputet shpirti kur shikojmë fshatarin e varfër dhe të paditur të vdesë për bejlurçinën, i cili e merr më qafë dhe e handakos, me profka dhe iluzione.

Në Shqipëri kjo vepër do të kuptohet më mirë se kudo gjetkë. Se atje tipat e bejlurçinës dhe të laros i gjejmë në çdo çap. Pothuaj të gjithë aristokratët tanë, me ca përjashtime të paka, janë të deklasuar pa bazë ekonomike, dhe kanë rënë në klasën e bejlurçinave, që kur u shkëput Shqipëria prej Turqisë. Që atëherë aristokratët tanë, që i shërbenin Turqisë si kondotierë dhe shefë bashibozukësh, kanë mbetur pa punë. Gjithashtu kanë mbetur pa punë dhe pa bukë fshatarët dhe malësorët e varfër, që shkonin në kohët e vjetra me bejlerët si bashibozukë dhe hajdutë për të plaçkitur Evropën, Azinë dhe Afrikën. Këto dy elementë përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, medievale, prapanike dhe reaksionare, si atë të Turqisë së vjetër, të vdekur përgjithnjë, se ashtu ua do interesi i klasës, se ashtu gjejnë punë dhe bukë. Bejlurçinat dhe larot e Shqipërisë na bëjnë sot të qeshim e të qajmë me prapavajtjen e tyre, tamam si me Don Kishotin e me Sançon. Dhëntë zoti të na bëjnë nesër të qeshim vetëm, se na bënë të qajmë mjaft.