Molier “Mizantropi” (fragmente)
Komedia “Mizantropi” është një nga veprat më të njohura të Molierit. Alcesti, si personazh kryesor i kësaj komedie, është njeriu i cili s’duron dot hipokrizinë e njerëzve, padrejtësinë, veset… Kjo e bën të shpërthejë përballë gjendjeve të tilla, duke arritur në atë pikë sa të shprehet se urren gjithë njerëzimin dhe se do të donte të largohej e të jetonte diku larg tyre. Po a është në të vërtetë Alcesti një njeri që ushqen urrejtje ndaj njerëzimit? Në fakt, ai urren veset e njerëzve. Alcesti është njeriu i cili nuk nguron në asnjë çast t’u thotë të gjithëve atë që mendon dhe këtë e bën me sinqeritet. Ai urren padrejtësitë, por kjo s’e pengon të shprehë mospërfillje për vendimin e një gjyqi të padrejtë që do të bëhej ndaj tij. Miku i tij, Filenti, është nga ata njerëz që, edhe pse i sheh padrejtësitë, nuk ngre zërin kundër tyre, por sillet me të gjithë si i dashur dhe i sjellshëm, sepse, sipas tij, kështu e do zakoni për të qenë gjithmonë njeri i kohës dhe me arritje të larta. Në qendër të komedisë është dashuria e Alcestit me Selimenën. Alcesti, edhe pse e dashuron atë, nuk nguron t’i tregojë veset e saj, me shpresën se ajo do ndryshojë dhe s’do sillet njëlloj si shtresa e shoqërisë së cilës i përket. Selimena tregohet e dobët në këtë këndvështrim, madje në fund ajo paraqet edhe luhatje të ndjenjave të saj për Alcestin, duke treguar simpati njëkohësisht edhe për Orontin. Alcesti është i gatshëm t’ia falë këtë Selimenës, me kushtin që ajo të braktisë veset e shoqërisë së lartë, gjë që ajo refuzon ta bëjë dhe, rrjedhimisht kjo dashuri është e destinuar të dështojë. Ndryshe nga Selimena, kushërira e saj, Elianta, është një vajzë me virtyte të larta, e cila, dhe pse e dashuron Alcestin dhe shpreh një admirim të thellë për karakterin e tij të rrallë, bën çmos që Alcesti të jetë i lumtur me Selimenën. Shkëputur nga botimi: Molier – Mizantropi (Komedi), përkthyer nga Prokop M. Gjergo, Shtëpia botuese “Argeta LMG”, Tiranë 2006.
*Për ta lexuar të plotë fragmentin e komedisë kërkohet anëtarësim.