“E gjeti mbas shimshirit” është një romancë idilike shkodrane. Shfaqja e dashurisë idilike mes dy të rinjve nuk e kapërcen pragun e zakoneve tradicionale, por vetëm sa e përforcon forcën e traditës. Një prekje duarsh tregon një emocion të përftuar nga gjendja e veçantë e kujtimeve fëminore, përforcuar nga një kujtim mortor i motrës së Vikut, gjë që i jep një shtysë mistike për ta realizuar raportin e fejesës me Gjenarinën. Lidhja mes konaqeve bazohet te përtëritja e martesave, ndonëse të parat kanë përfunduar fatalisht. Ky tregim i Koliqit u hedh një petk modern zakoneve të konsoliduara shqiptare dhe bëhet interpret besnik i tyre, si rrallë herë në tregimet e tjera. Ndoshta pasi Viku nuk është “student” i ndonjë shkolle perëndimore, ai është thjesht tipizimi i shkodranit tradicional.