EPOSI BARDHEZI
Artikull nga Ardian Vehbiu - Peizazhe të fjalës
Gjatë kuturisjeve të mia të herëpashershme në lugjet e Eposit të Veriut, kisha vënë re përdorimin shumë të kursyer të mbiemrave që tregojnë ngjyra; çka më konfirmonte, tërthorazi, se tradicionalisht shqiptari – sikurse çdo popull tjetër i Ballkanit paraindustrial – ka jetuar në një botë të pangjyrosur, nëse mund ta quaj kështu; ose një botë ku ngjyrat janë të lidhura kaq ngushtë me objektin, sa nuk lind nevoja për t’i emërtuar.
Iu ktheva argumentit këto ditë, meqë jam duke punuar për një studim disi më “akademik” të kësaj teme; dhe e lexova edhe një herë, nga fillimi në fund, korpusin e këngëve të përmbledhura te Visaret e kombit, kangë kreshnikësh dhe legjenda, mbledhë dhe redaktue nga Át Bernardin Palaj dhe Át Donat Kurti (ribotim i vitit 2007 nga Botime Françeskane, Shkodër).
Përfundimi që kam nxjerrë është se bota e Eposit përmban në thelb vetëm tri ngjyra e gjysmë: të bardhën, të zezën dhe të kuqen (dhe një gjysmë të verdhë); dhe se nga këto tri ngjyra e gjysmë, vetëm e kuqja është e tillë, ose e mirëfilltë, meqë e bardha dhe e zeza orientohen më tepër sipas aksit i ndritshëm/i errët, ose dritës që lëshon a pasqyron një send; ndërsa e verdha përdoret vetëm në formula të stereotipizuara, siç do ta ilustroj në vijim.
Tani, çfarë quajmë “emra ngjyrash” përdoren zakonisht si epitete; dhe sikurse dihet dhe e kanë vënë në dukje të tjerët, epitetet në këngët epike priren të jenë të stereotipizuara.
Kështu, shprehja paska dalë e bardha dritë nuk kërkon të thotë doemos se drita është e bardhë (dhe jo ndonjë ngjyrë tjetër), sesa përmban një epitet klishe për dritën, aq më tepër edhe me ngarkesë emocionale pozitive.
Në Cikël, ndeshim relativisht shpesh në togje të tilla si orët e bardha, lkura e bardhë, dora e bardhë (e Omerit të ri), drita e bardhë (kur t’dalë drita, ajo daltë e bardhë), gjogu i bardhë(pleonazëm, Skendi), mjesnata e bardhë (kú â ardhë mjesnata e bardhë), nata e bardhë (ishte errë ajo nata e bardhë), rakia e bardhë, pllumb i bardhë, kulla e bardhë, hylli i bardhë (shkrue në shteg të ballit të gjogut të Mujit), gurrat e bardha, kroni i bardhë, drita e bardhë, akshami i bardhë… si dhe emrat gjithnjë klishe të disa vajzave: Januka e bardhë, Begzadja e bardhë, Gjelina e bardhë,Bardha e bardhë (!).
E kanë vënë re studiuesit e Ciklit, se epiteti i bardhë në këto vargje nuk shënjon aq ngjyrën, sesa një qasje pozitive, miratuese, përshëndetëse nga ana e rapsodit; në kuptimin që lufta mes së mirës dhe së keqes, në Cikël, është edhe luftë mes dritës dhe errësirës, ose mes së bardhës dhe të zezës. Në thelb, e bardha përfaqëson dritën.
Këto dy karakteristika shënjojnë, pra, kategori morale, gjithë duke mbetur karakteristika të botës fizike; por jo si ngjyra të mirëfillta, sesa si emërtime të dritës që lëshojnë objektet, fizikisht dhe metaforikisht.
Përballë së bardhës qëndron e zeza, e cila i referohet së keqes ose së padëshiruarës nëpërmjet ndërmjetësimit të mungesës së dritës, ose errësirës: bajlozin e zi, ose burgun e zi ose dheun e zi(zakonisht si vendi ku banojnë të vdekurit); dhe më tej uku i zi, reja e zezë, dita e zezë, kobi i zi, gumanat e zez, andrra e zezë, korbi i zi (që i kundërvihet pëllumbit të bardhë); ose edhe thjesht sende të errëta tymi i zi, bjeshkët e zeza, sytë e zez (të Rushës), rrahi i zi.
Kundërvënia i bardhë/i zi, duke u shtrirë sipas aksit dritë/errësirë, dhe duke mbuluar pastaj edhe etosin: e mirë/e keqe, është veçanërisht e spikatur në bekimet dhe mallkimet, të cilat shprehin dëshirat e personazheve të këngëve, ose edhe të rapsodit vetë.
E vetmja ngjyrë e mirëfilltë, që spikat në këtë botë bardhezi, është e kuqja – por e kuqja në cikël nuk vjen me ndonjë bagazh të madh konotativ; është më tepër përshkrimore dhe gjithsesi tepër e rrallë dhe e artikuluar në togfjalësha stereotipikë. Kështu e kuqe është çadra ose shatorrja e kralit; kapidanat pinë venë të kuqe e raki t’bardhë; Zuku Bajraktar e ka perçen kuq si gjaku; shtati i gjogut të Mujit me roga bardhë e kuq e zi; qyqja e kuqe (por e kuqja e qyqes nuk mbishënjon ndonjë karakteristikë abstrakte; ndryshe nga e bardha e pëllumbit dhe e zeza e korbit, që kundërvihen edhe në planin simbolik abstrakt).[1]
Një ngjyrë e katërt (madje gjysmë ngjyrë), që del në Epos vetëm në shprehje të fosilizuara ose në togje stereotipike, është e verdha. Disa herë, heronjtë e këngëve i bëjnë pagesat me orum të verdhë dhe dukét të verdhë (ku e verdha do të ketë shënjuar floririn); pastaj ndeshim edhe nëflakën e verdhë që qet gjogu për goje, në prag të betejës; dhe, më në fund, toponimin e shpeshtë Lugjet e Verdha, ku mbiemri është i fosilizuar.[2]
Gjithsesi, epitetet ngjyra në Ciklin shqip përdoren shumë rrallë, jashtëzakonisht rrallë – madje edhe sikur të merren këtu parasysh disa folje që, në thelb, shënjojnë ngjyra: Drita e hânës… mirë po i lbardhë fushat e bjeshkvet; Ftyra e saj, si kuqet molla n’degë; he, ju u nxisha, mori sarajet e mia!; A çue dielli për mbas malit: tash p’e lkuqë, e tash p’e lbardhë; n’shtatë furra t’kuquna me m’shti; jú jau xisha llafin qi po bani, etj.
Përshkrimet, të cilat nuk mungojnë në këngët, kanë fare pak epitete ngjyra; në përgjithësi, karakteristikat e sendeve ose të personave të përshkruar jepen nëpërmjet krahasimit (ndonjëherë në trajtë të similitudës).
Të shihet kjo në përshkrimin e famshëm të Tanushës, nga Martesa e Halilit:
Gjâ mâ t’mirë s’shef njeri nën ket diell!
Vetulla e saj ndrejt si fiskaja;
Shteku i ballit si shteku i malit,
Kur mer hâna me pranue;
Syni i saj si kokrra e qershís;
E ka qërpikun si krahu i dallndyshës;
Ftyra e saj si kuqet molla n’degë;
Hunda ndrejt, si kalêmi i Tushës;
Goja e vogël, si lula qi shpërthen;
Dhâmët e bardhë, si gurzit e lumit,
Fill mbas shiut, kúr po i shndritë dielli;
Qafa e saj, si qafa e pllumbit;
Shtati i saj, si i shtat çetinet;
Misht e dorës, porsi rrêmi i shemshirit.
Këtu krejt portreti pikturohet nëpërmjet krahasimeve – dhe vetëm dy fjalë, kuqet dhe e bardhë, u referohen ngjyrave, edhe pse gjithnjë në kontekst të një krahasimi.
Të krahasohet kjo me mënyrën si përshkruhet një femër e bukur, në një këngë të mbledhur prej Vuk Karaxhiqit (po e citoj sipas Skëndit):
U struku je tanka i visoka,
U obrazu b’jela i rumena,
Kao da je do podne uzrasla
Prema tihom suncu proljetnome;
Oci su joj dva draga kamena,
A obrve morske pijavice,
Trepavice krila lastavice
Rusa kosa kita ibrišima;
Usta su joj kutija šecera,
B’jeli zubi dva niza bisera;
Ruke su joj krila labudova,
B’jele dojke dva siva goluba;
Kad govori, kanda golub guče,
Kad se smije, kanda sunce grije.
Edhe versioni serb qeveriset nga krahasimi si përftesë poetike, por aty epitetet ngjyra janë më të shpeshta dhe, çfarë ka rëndësi për argumentin e këtushëm, më të larmishme.
Në përgjithësi, përshkrimet në Ciklin shqip janë krejt konkrete, dhe nuk kanë fare epitete – ja si pikturohet lahuta, te Rrëmbimi i së shoqes së Mujit:
Ia ká çue lahutën prej palmje,
M’a kish’ pasë zhargun prej magari,
M’a kish’ pasë dorcën prej thâne,
M’i kish’ pasë qymet kali shale.
Ja edhe përshkrimi i mënyrës si e përgatit kalin e vet Muji (nga Gjogu i Mujit):
Sá t’mirë shalën në shpinë ia qet,
Ishte frêni telatinit,
Ishte shala prej brishimit,
Krejt me gur prej xhevahirit,
Nândë kollanë mademesh ltinit,
Tânë patkojt o prej florinit,
Mbërthye thundrash prej çelikut.
Vëreni mungesën e mbiemrave; përfshi edhe ato të ngjyrës – dhe dendurinë e emrave të lëndëve: telatin, brishim, xhevahir, flori, çelik – të cilat, në thelb, e evokojnë ngjyrën pa e emërtuar. [3]
Hipoteza ime këtu është se, në botën e Eposit, ngjyra në vetvete nuk ngrinte aq peshë, pse nuk mund të ndahej a të abstragohej lehtë nga sendi përkatës; banorët e asaj bote i dallonin ngjyrat, por jo më vete ose të shkëputura ose si atribute të luhatshme (floating) – sepse nëse kishte sende me ngjyrë, sendet e ngjyrosura ishin të rralla, në mos mungonin krejt; dhe vetë ngjyra e sendit do të prirej drejt stereotipizimit.
Kjo do të thotë edhe se ka qenë praktikisht e pamundur, për një kulturë materiale sendesh të ngjyrshme, por jo të ngjyrosura, që ngjyra të përdorej në mënyrë domethënëse ose kumtuese – ndryshe nga ç’ndodh sot, kur paleta e ngjyrave përbën si rregull edhe një paradigmë shenjash; në kuptimin që mund të zgjedhim nëse do të veshim këpucë blu, kafe apo ngjyrë tymi baruti (gunsmoke).[4]
Tipike është, në këtë kontekst, mungesa e plotë, në Epos, e mbiemrave që shënojnë ngjyra të tilla si e kaltra dhe e gjelbra – të cilat megjithatë ndeshen rëndom në natyrë, madje shumë më shpesh se e kuqja. Studiuesit e semantikës së ngjyrave kanë vërejtur, në lidhje me këtë, se e kuqja zë vend lart në hierarkinë e ngjyrës për shkak të rëndësisë që ka në mbijetesë (si ngjyra e gjakut). Sa për ngjyra të tjera, krejt të rëndomta, si kafja, vjollca, grija, bluja etj., shqipja nuk ka pasur fjalë të veçanta për to deri vonë, por i ka emërtuar përmes krahasimit, eksplicit ose implicit (khs. bojë kafe, ose si e kafes; bojë vjollcë, ose si e lules përkatëse; bojë portokalli, ose si e frutit, bojë preshi etj.; dukuria ndeshet në të gjitha gjuhët).
Nga ana tjetër, vjetërsia etimologjike e emrave të ngjyrave në shqipe – e kaltër[5], e gjelbër, e verdhë vijnë nga latinishtja; e bardhë dhe e zezë janë indo-europiane; e kuqe nga latinishtja(*cocceus) – tregon se këto emërtime nuk i kanë munguar shqipes; por vetëm nuk kanë qenë të rëndësishme, nga pikëpamja diskursive (dhe narrative).
Tradicionalisht – dhe këtu po spekuloj – një gjuhë si shqipja, e një kulture materiale ku sendet e kanë pasur ngjyrën veti të qëndrueshme, i ka shprehur ngjyrat tendencialisht më shpesh nëpërmjet foljeve, të tipit zbardh, nxin, skuq, zverdh etj.; meqë, nga pikëpamja praktike, në një botë ku ngjyrat janë pak a shumë të lidhura natyrshëm me sendet,ndryshimi në ngjyrë ka më rëndësi se ngjyra vetë.
Më në fund, mbiemra të tillë si i bardhë dhe i zi në ligjërimin e Eposit, madje edhe kur shënjojnë karakteristika fizike, nuk kanë të njëjtin kuptim me ç’i përdorim ne sot; sikurse e ceka pak në krye, ne sot e shohim botën kryesisht të ngjyrosur, duke e dalluar gati rregullisht ngjyrën nga objekti përkatës; ndërsa në Epos bota shihet gjithnjë sipas aksit dritë-errësirë, pra jo aq e ngjyrosur, sa e ndriçuar.
[1] Lexuesit nuk do t’i ketë shpëtuar fakti që e bardha, e zeza dhe e kuqja janë edhe ngjyrat mbizotëruese në kostumin tradicional të malësorit, i cili na vjen kështu me paradigmën e ngjyrave të fiksuar tërësisht në sintagmë.
[2] Unë do të kuturisesha dhe do të shihja te mbiemri në Lugjet e Verdha një reminishencë të kuptimit burimor të latinishtes viridis, “i gjelbër”, që ka dhënë shqipen i verdhë.
[3] Nëse ky evokim i ngjyrës nëpërmjet krahasimit, jo emërtimit të drejtpërdrejtë, ka qenë karakteristikë edhe e shqipes së folur në kohën kur është kristalizuar ligjërata e Eposit, për këtë veç mund të spekulojmë, gjithnjë duke mbajtur parasysh se emrat e ngjyrave kryesore, në shqipe, janë të vjetër.
[4] Shmangie të ngjashme i kanë vënë re studiuesit e ngjyrave edhe te Iliada dhe tek Odisea; por nuk është vendi këtu për t’u zgjatur; të interesuarit i ftoj të lexojnë kapitujt e parë në këtë libër të Guy Deutscher, i cili nuk kërkon ndonjë ekspertizë linguistike për t’u shijuar.
[5] Etimologjikisht, i kaltër e kanë lidhur me latinishten caltha, një lule që në fjalorët e gjej të përkthyer si “kumak” (angl. marigold, emri shkencor calendula officinalis). Si bazë e mbiemrit shqip, do të ketë shërbyer një *calthinus me kuptimin “i verdhë, verdhosh” si ngjyra e lules.