BAJLOZI I GJERGJIT
Artikull nga Ardian Vehbiu - Peizazhe të fjalës


Bajlozin e Zi në Ciklin e Kreshnikëve, me të cilin dylufton Gjergj Elez Alia, e kanë shpjeguar si një remineshencë, sado të deformuar, të figurës së baile-s ose ambasadorit të Venedikut zakonisht pranë Portës së Lartë. Etimologjia e bajloz nga venecianishtja baile duket bindëse; këtë e ka propozuar i pari Maximilian Lambertz, por duket ta kenë pranuar praktikisht të gjithë studiuesit që janë marrë me Ciklin e Kreshnikëve. Megjithatë, s’ka dyshim se baile në italishten e folur në Venedik ka pasur kryesisht kuptimin “ambasador i Venedikut në Kostandinopojë” dhe më pas “ambasador i Venedikut pranë Portës së Lartë”, më rrallë edhe vetëm “ambasador i Venedikut”. Kuptimi “ambasador” i fjalës baile e ndërlikon pak lidhjen e drejtpërdrejtë të këtij funksionari me bajlozin e Ciklit të Kreshnikëve; sepse ky i fundit del prej detit, dhe kërkon haraç nga banorët e zonave përreth. Logjikisht, një ambasador nuk mund të kërkojë haraç. Haraçin e kërkojnë autoritetet e vendit ose pushtuesit; jo ambasadori. Nëse bajlozi ka qenë ambasador i Venedikut, ka vend të pyetet se ku ka qenë bajloz; në ç’kryeqendër. Ambasadorët nuk dërgoheshin të përfaqësonin Venedikun në malësi, as ngatërroheshin me punët e feudalëve të vegjël në hinterland (siç janë heronjtë e Ciklit). Gjithashtu Venediku nuk dihet të ketë pasur baile në Shkodër e aq më pak në Jutbinë. Atëherë lind pyetja se ku e kanë gjetur malësorët shqiptarë këtë fjalë kaq teknike. Edhe Robert Elsie tani vonë, në A Dictionary of Albanian Religion, Mythology, and Folk Culture thotë se nuk kuptohet si titulli i ambasadorit venedikas pranë Portës së Lartë të ketë përfunduar si emër i një përbindëshi që del prej detit (f. 20). Vetë personazhi arketipal që përfaqëson bajlozi duket të jetë më i vjetër se shek. XV dhe marrëdhëniet e Venedikut me Portën e Lartë. Ka mundësi që emri t’i jetë mbivendosur personazhit, duke zëvendësuar një emër më të vjetër, p.sh. një tabu; kjo duket sikur mbështetet edhe nga fakti që, në mënyrën si kërkon haraç bajlozi (“tim për tim”) disa studiues, si Jorgo Panajoti, kanë parë gjurmë të sistemit bizantin, jo venecian, të vjeljes së taksave. Mbetem i mendimit se figura e bajlozit të zi në Ciklin e Kreshnikëve është shumë më e vjetër se emri bajloz, dhe dëshmon tërthorazi traumën e sulmeve plaçkitëse të piratëve në bregdetin Adriatik të Arbërisë dhe të Dalmacisë. Vetë fjalaBajloz, sikurse shumë elemente të tjera të Ciklit që i referohen periudhës turke-osmane, janë shtesa të vona, të ardhura nëpërmjet vatrave të eposit në Bosnje dhe reflektojnë një kulturë turke-orientale të rrezatuar kryesisht nga Stambolli, ku figura e baile-s mbetej qendrore, edhe për imagjinatën e rapsodëve. Epiteti i zi mund të ketë thjesht ngarkesë emocionale negative, por mund edhe t’u referohet piratëve maurë/saracenë që plaçkitnin trojet e Arbërisë bizantine.Roli i piraterisë në shpërndarjen e popullsisë në ato troje përmendet pak, edhe pse ka të dhëna të sigurta se vija bregdetare e Adriatikut dhe e Jonit i ka vuajtur shumë sulmet e piratëve – saraçenë sa kohë që kjo vijë kontrollohej pak a shumë nga Bizantinët ose nga Venediku; katolikë (p.sh. të Urdhrit të Maltës, ose uskokë dalmatë), kur zonën e pushtuan otomanët. Vetëm për sa u përket piratëve arabë/saracenë/maurë, dihet se në 838 arabët nga Sicilia plaçkitën Brindisin, i cili aso kohe ishte zotërim i lombardëve. Dy vjet më vonë, pushtuan për një kohë të shkurtër Taranton, pastaj edhe Barin. Në vitin 866 piratët arabë nga Afrika rrethuan portin e rëndësishëm të Raguzës, që në atë kohë i përkiste Bizantit, çka u bë pastaj shkas që Perandori Basil I të krijonte Temën e Dalmacisë, në brigjet lindore të Adriatikut, me kryeqendër në Zarë. Edhe Ulqini ka qenë objekt i sulmeve të arabëve që prej shekullit VIII, dhe mbeti për dy shekuj në duar të tyre, para se të kalonte nën zotërimin sllav. Më pas ky qytet do të përmendej si strehë e piratëve nga Afrika e Veriut, që në kohë të Hajredin Pashës, nga Tunisi, në gjysmën e dytë të shek. XVI. Kjo periudhë kohe, koincidon me kapjen rob, gjatë një sulmi në brigjet spanjolle, të Cervantes-it të madh, nga pirati shqiptar Reiz Mami Arnauti. Gjatë shekujve XV-XVI venedikasit megjithatë e konsideronin Adriatikun si gjirin e tyre, duke filluar nga një vijë imagjinare që bashkonte Santa Maria di Leuca me Vlorën, dhe nuk lejonin hyrjen në atë det të anijeve të huaja, të krishtera ose myslimane. Prej vitesh Venediku kishte luftuar me piratët e Adriatikut, sidomos me uskokët e krishterë, që gëzonin mbrojtjen e Habsburgëve, dhe piratët myslimanë nga Ulqini… Ndërkohë në fund të shekullit XVI në Adriatik mbërritën piratë të tjerë të freskët – të ashtuquajturit levendë nga Magrebi, gjithnjë në kërkim të plaçkës. Në atë periudhë pas disfatës në Lepanto, otomanët e kishin reduktuar shumë flotën e tyre dhe rrezen e operacioneve të saj. Piratët nga Afrika e Veriut e bazuar në Ulqin filluan të plaçkitin anije të krishtera në Adriatik, madje nisën t’ua mësojnë zanatin e piraterisë edhe detarëve shqiptarë vendas. Shumë shpejt këta piratë shqiptarë do të nisnin t’i plaçkitin anijet vetë, gjithnjë duke u maskuar si magrebinë.

Piratët zakonisht sulmonin rrufeshëm qytezat bregdetare, për të bërë plaçkë e për të kapur skllevër, të cilët i shisnin pastaj gjetiu me fitime të mëdha. Kaq shkatërruese ishte pirateria për bregdetin arbëror dhe epirot të asaj kohe (deri poshtë në Moré), sa efektet e saj i sheh edhe sot, në mënyrën si është i populluar bregdeti, me pak qytete relativisht të mëdha e të fortifikuara, por fare pak fshatra. Himara përfaqëson një shembull tipik të një komuniteti të lidhur ngushtë me detin, por njëkohësisht të detyruar të fortifikohet në majë të malit, për t’u mbrojtur nga sulmet e papritura të piratëve. Përndryshe, bregdeti shqiptar konsiston në një numër qytetesh (si Vlora, Durrësi, Ulqini) të ndara mes tyre nga plazhe e zona kënetore të pabanuara. Otomanët, sikurse bizantinët para tyre, kishin kontroll të plotë të territorit në brendësi, por nuk ishin në gjendje të kontrollonin njëlloj edhe detin. Prandaj vendasit detyroheshin t’i qëndronin larg bregdetit, për t’u mbrojtur; ose të zhvendoseshin drejt qyteteve të mëdha e të fortifikuara.

Këto konsiderata më shtyjnë të shoh, edhe te bajlozi i zi, një figurë të asimilueshme me piratët maurë, ose saraçenë, të cilët plaçkitnin zonat bregdetare të Arbërit gjatë mesjetës bizantine; pas gjase të kontaminuar më vonë edhe me kujtimin e të dërguarve të Venedikut.

[2006]

1 Kreutz, Barbara, Before the Normans: Southern Italy in the Ninth and Tenth Centuries, University of Pennsylvania Press, 1991, f. 26.

Curta, Florin, Southeastern Europe in the Middle Ages, 500-1250, Cambridge University Press, 2006, f. 28.

Norris, H.T., Islam in the Balkans, University of South Carolina Press, 1993, ff. 205-207.

Keiko Kiyotaki, Colin Imber, Frontiers of Ottoman Studies v. 1: State, Province, and the West, Colin Imber, Keiko Kiyotaki and Rhoads Murphey, New York, 2005, f. 28